kafja e mengjesit dhe intervista ne Atëdhe vera 2010

Biografia

Studimet e larta në Prishtinë si inxhinier i Agronomisë. Para se të mbaronte studimet arrestohet nga policia serbe si pjesëmarrës i demonstratave studentore në mars të 1981. Dënohet me 10 vjet burg. Në fillim në burgun në Prishtinë dhe në nëntorin e 1981 transferohet në kampin e njohur “hekur e beton” të Nishit në Serbi. Në këtë kamp qëndron deri në vitin 1990. 7 vite e dy muaj i kalon në të ashtuquajturën “grupa pojaqanih nadzor”, (izolim).Me ndihmën e Amnestis Internacionale dhe Komitetit të Helsinkit lirohet nga burgu. Pas daljes nga burgu shkoi në Zvicër, ku jeton edhe aktualisht së bashku me familjen e tij ,gruan dhe tre fëmijët. Zvicra i njohu atij strehimin politik.Sylë Mujaj është njëherësh edhe piktor, edhe poet. Njeriu qe prej dhimbjesh, prej mungesës së lirisë, krijoj vargje qe më forcën e tyre realiste të tronditin, më fuqinë e tyre artistike, depërtojnë deri në qelizat e trupit.Piktura e tij e krijuar ashtu në heshtje e nën peshën e prangave, nga një copë laps i mprehtë e një letër cigareje –siç kujton autori,- një pikturë e lexueshme, por domethënëse: Ajo përcjell me forcë tragjizmin e një populli të tërë nën peshën e dhunës: Fatet individuale të njerëzve numra, siç i ka cilësuar autori, ku ai bën pjesë edhe vetë shprehin dhimbshëm shpresën e lirisë. I mbyllur në mes të betonit dhe hekurit, përmes hekurave, bashkë me dhimbjen dhe shpresën ai herë me poezi e herë me pikturë, nëpërmjet artit të tij realist pasqyron botën e tij të brendshme.Të gjitha këto ai i mblodhi në një libër, të cilin e paraqiti këto ditë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Portretet e njerëzve të tij të dashur, shokëve të burgut, të identifikuar me numra, nënës, babait e gruas që e priti për 10 vjet rresht, japin tragjedinë e tij individuale, si simbol i një kombi.Sylë Mujaj ka ekspozuar punimet e tij në 4 ekspozita personale të hapura dy në Zvicër, një në Itali dhe nga viti 1996-1997.



Ekspozita 2010

Foto te Ndryshme

zondag 7 februari 2010

I burgosuri politik, nuk merr pushtet, por jep pushtet

I burgosuri politik, nuk merr pushtet, por jep pushtet Intervistë me veprimtarin, ish të burgosurin politik të viteve 1980-81, z. Sylë Mujaj, i cili jeton dhe vepron në Lugano të Zvicrës/. Z.Mujaj ndër të tjera për agjencinë e lajmeve kosovaere.ch, tha:" isha njëri ndër organizatorët e 11-26 marsit të vitit 1981, ku më 26 mars, më arrestuan në ora 15 e mbas ditës, nga njësitet speciale të ardhura enkas për ne, ato njësite erdhën nga garnizoni i Nishit, në mëngjesin e 26 marsit, veç ishim të rrethuar, sepse atë ditë, u dëmtua stafeta, e cila duhej të promovohej nga “baci“ Mahmut Bakalli, Risto Siliqi etj". Kosova e re: Z.Mujaj, fillimisht pranoni përshëndetjet e mia, të AMC (ALBANIAN MEDIA CENTER), me qendër në Cyrih dhe Nju Jork dhe të stafit drejtues të kosovare.Po e fillojmë bashkëbisedimin tonë me pyetjen, se si e sheh sot Kosovën nga diaspora z.Mujaj, kur po i afrohemi dy vjetorit të pavarësisë? Sylë Mujaj: Më duhet ta ceku pak dinamizmin e rrjedhave që nga viti 1981apo nga ajo pranvera e madhe studentore, që unë e shoh shumë frytdhënëse për sukseset e arritura që për historinë është e vogël, por për popullin e Kosovës u arritën suksese të mëdha. U çliruam nga pushtuesi klasik dhe shumë dinak, e gjithë kjo kohë i kishte vuajtjet së bashku dhe me krenarinë e vete, pa dyshim aty këtu edhe ngecjet e rastit. Mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kam vërejtje së pari që kishte mund të shpallej edhe më herët, e dyta edhe kur u bë shpallja, procesi i funksionimit të aparatit shtet, disi u ngatërrua në dhëmbëzoret e vet, edhe pse aparat i ri- diçka vepron si aparat i vjetër. Këtu ndalem të vetë mënyra konfuze e veprimit apo menaxhimit shtet, që nuk dha mundësinë e një nisje normale sepse pika kryesore e territorit të Kosovës mbeti veç e shkruar në letër nga lloj-lloj projekti si ajo e Ahtisarit, apo ide takimet e Vjenës, që mendoj se e dëmtuan rënd një nisje të mbarë, që të vendnumërohet në kohën kur makina shtet të ishte në krejt kapacitetin e veprimit, pra së pari menaxhimi i kufijve të Kosovës, me fqinjët tanë të padisiplinuar, e së dyti me vetë funksionimin e ministrive përkatëse. Them se këto dy pika më strategjike ishin dhe mbeten pa frytdhënje konkrete, e gjithë energjia e këtij aparati të ri me demagogji të vjetruar, e pruri Kosovën në vitin 2010 në një amulli që të vihet në dyshim pra ai gabimi i Vjenës dhe vet plani i Ahtisarit. Kjo nevojë imediate çdo ditë po bëhet edhe më aktuale edhe më e prekshme nga vetë populli i Kosovës, që sot si kurrë as në kohën e pushtuesit nuk po e ndien peshën e një varfërie fizike e shpirtërore. Kurse në anën tjetër, pushtetarët e pa ndërgjegjësohem lëvizin para kësaj gjendje me makinat e tipit të fundit me natelet e turpëroje të pajisura me mjetet më bashkëkohore, me fjalorin e tyre demagogjik e dhelparak, se nuk u bë kiameti, është shtet i ri nuk mund të bëhen të gjitha menjëherë, priteni pak,...et etj. Kur logjika është tjetra, që po kuptohet mirë se makina nëse nuk ka funksionuar që nga vetë startimi-nisja, si je aparat komplet pra mbeti duke u shfrytëzuar vetëm nga vetë dhëmbëzorët e egër qeveritar, apo pushtet mbi popull e jo për popullin. Kosova e re: Jeni aktiv edhe sot e kësaj dite, a mund të na thoni, me çka po merrej z.Mujaj në Lugano të Zvicrës? Sylë Mujaj: Në Lugano unë jetoj me familjen time bashkëshorten Fetijen e cila me priti 10 vite nga burgu u kurorëzuam në Lugano, krijuam familjen, kemi tre fëmijët Fjollën, Vesën e Blinin, ku jetojmë në mënyrë solide, jemi në harmoni të mirë dhe të kënaqur me suksesin e fëmijëve në shkollim, gjatë dimrit merrem me shkrime të ndryshme e me ndonjë vizatim apo skica të ndryshme, bisedoj çdo herë me ish të burgosurit e Kosovës, jam që disa vite në mbledhjen kryesisht të punimeve të ndryshme nëpër burgjet ish jugosllave, si skica, vizatime, letra apo shkruaj për këtë kohë që jo rastësisht mbeti e mbyllur, dhe pa drejtësish e mbyllur. Kam krijuar kartelat dhe në çdo kontakt me njërit që çmojnë vuajtjet tona disi më duket edhe i mirë edhe njeri i dashtun, unë mbledh vlerat e ish të burgosurve i ruaj i sistematizoj i shëroj. Gjatë verës tani mbas pavarësimit e kaloj ne qytetin tim në Pejën time. Ditët verore i kaloj nëpër malet e Rugovës e mbrëmjet verore në njërin nga lokalet afër Bistricës se Pejës, me shokë e familjarë. Kosova e re: Ke dhënë shumë për Kosovën dhe të ka munguar fizikisht me dekada, ku po të mungon edhe sot e kësaj dite. Nëse do të jepej mundësia të kthehesh në atdhe, me çka do të ishe marr, me art apo më shumë me politikë? Sylë Mujaj: Vërtet unë fizikisht kohën më të madhe e jetoj në Lugano të Zvicrës, por me mendje e shpirt e veprimtari, jetoj çdo ditë me Kosovën, me rrjedhat ditore e jam në procesin që sado pak ti gjendem afër, se mendoj disi se është e imja. Kosova është disi si nëna, si motra, si gruaja, është diçka që më ndihmon kur shkruhem me shokët e mijë apo kur bëjë ndonjë vizatim të kostumeve nga jugu i Shqipërisë, apo kur e imagjinoj varrin e Teutës në Risanin e Malit të Zi të sotëm. Kosovë është, disi si thash, që edhe ajo kërkon përkëdheljet e mija, më duket se vazhdimisht edhe ajo kërkon nga unë. Tash po bëhen 30 vite që jeta ime e Kosovës është e lidhur me atje dhe bashkëpunojmë në çdo kohë. Po të kthehesha në atdhe, këtë pjesë të kohës të mbetur të jetës time, do t'ja kushtoja, turizmit rural, nëpër bjeshkët e Rugovës, apo nëpër gjurmimet e kullave, tumave ilire që ka shumë e pak janë të njohura për vetë ne /ato sot, janë bukur thellë deri në dy metra nën dhe /por të ruajtura mirë që na presin ti shikojmë ti prekim e ti vizatojmë, kemi çka gjejmë aty/,kalave, urave të vjetra dhe me dëshirë do ti rinovoja të gjitha. E njohë mirë Kosovën, të gjitha “rrudhat e ballit”, të gjitha hallet, të gjitha dertet, të gjitha plagët e shëruara e të pa shëruara. Mendoj, shkruaj e vizatoj çdo herë veç për Kosovën. Të them, se unë do të merrem me politikë për Kosovën time, më duket lëndim për shpirtin tim, më duket lëndim për Kosovën, unë disi jam vetë Kosovë... Kosova e re: A është harruar diaspora nga qeveria e Kosovës? Sylë Mujaj: Është interesante apo një e keqe tjetër e qeverisjes së sodit në Kosovën tonë, që pothuajse është e harruar krejet Mërgata, kur dihet se edhe gjatë krejt periudhës së vullnetarizmit që të çlirohet Kosova ishte si një “zgjua bletësh”, që të gjithë vepronin punonin e jepnin për Kosovën, ka raste kur nëpër klubet apo shoqatat shqiptare p.sh. në Zvicër nga Gjeneva deri në Lugano, kishte çdo ditë takime të bashkatdhetarëve që nga fjalime, konferenca, mbrëmje poezive e promovimeve apo ekspozitave, kishte jetë kishte vullnet e kishte qëllim veç të mirë e frytdhënës. Sot, kjo mungon, aty këtu shohim ndonjë takim të qytetarëve tanë nëpër ndonjë xhami edhe aty të ndarë, dikush me “shallvare të gjelbra” e në anën tjetër ai “hoxha tradicional”, që edhe këta mundohen ta bindin njëri tjetrin se njëri apo tjetri e kanë keq, menaxhimin me “tarikatin” e vetë, gjendja është deri diku e mjeruar në drejtimin e vlerave të shkollës apo takimeve shkencore që i takon kësaj mërgate. Është një gjë e çuditshme, kur në kohën e para luftës kishte një mobilizim të madh që ishte i freskët në çdo familje e të gjithë jepnin atë të mundshmen edhe rrogën apo djersën e fundit për Kosovën e sot, se si mbeti kështu e ndarë, faji nuk mbetet te mërgata faji prapë i bije udhëheqjes dhe pushteti të Kosovës ,ëe edhe dy vite mbas pavarësimit, të thuash se nuk është bërë asgjë, apo vërtet shtrohet pyetja tash kur bëmë shtet, mërgata është e tepërt apo nuk po ju dashka kësaj qeverie. Unë mbetem te e dyta, se qeverisja jonë nuk është e vetëdijshme, se ndarja e mërgatës i kushton e do t'i kushtojë Kosovës.....Kosova e re: Jetoni dhe veproni në Zvicër që nga viti 1991 dhe keni vepruar ndër vite në të mirë të atdheut tonë. Pse sipas jush, diaspora është në këtë pozitë që është, përbuzëse dhe harruese? Sylë Mujaj: E ceka në pyetjen më lartë, se mërgata e lënë në stihi, fajet duhet lypur në qeverinë e Kosovës, që duke u marr me tendera, apo me asfaltimin e Kosovës /atë pakë tokë pjellore e mbuluan me asfalt që është shtet i vogël, e duhej të vepronte si Zvicra, sa më pak asfalt e rrugë të ngushta një krahëshe që mos të vrahet toka pjellore dhe gjelbërimi/. Është e harruar apo e lënë me qëllim, sepse në mërgatën tonë, janë vlerat e mirëfillta duke filluar, se sot nga ne apo gjeneratat e reja, janë dalë ekspert të njohur që padyshim kanë vlera më të mëdha se sa krejt aparati i sotëm qeveritar. Pra këtu është vetë mbyllja e qeverisë, sepse nuk pajtohet me këto vlera, nga prepotenca e tyre janë në pat pozicion, që padyshim duhet ti çelim këtë mbyllje vetë ne ti shtyjmë pak njerëzit, që pa vlera munden në një mënyrë apo tjetër te nxënë ndonjë karrikëz, kinse në funksion inert të Kosovës, shtytje me vlera i shoh si frytdhënëse për popullin e Kosovës, që pa dyshim aty këtu, po hetohen ndonjë vlerë e mirë si rasti i atij djaloshi nga Anglia, që u kthye në postat e Kosovës apo raste të tjera. Mërgata ka vlera të mëdha, duhet sistemuar ka të rinjë që e ndiejnë veten shqiptarë e krenohen se janë shqiptarë dhe veprojnë profesionalisht edhe më mirë se sa gjeneratat tona, që mund “të kishin gabime nëse i kishim”... Kosova e re: Jeni ish i përndjekur politik i viteve 1980-1981, ku i keni kaluar në burgjet e Serbisë jo më pak se 10 vite. Respektohet sot mundi i të burgosurve politikë në Kosovën tonë të lirë nga shteti i Kosovës? Sylë Mujaj: Po isha njëri ndër organizatorët e 11-26 marsit te vitit 1981, ku më 26 mars më arrestuan nga ora 15 e mbas ditës nga njësitet speciale të ardhura enkas për ne, ato njësite erdhën nga garnizoni i Nishit, në mëngjesin e 26 marsit veç ishim të rrethuar, sepse atë dite u dëmtua stafeta e cila duhej te promovohej nga “baci“ Mahmut Bakalli, Risto Siliqi etj. Grupi i studentëve që deri në fundin e gushtit të vitit 1981 u bëmë krejtësisht artificialisht si grupi i studentëve që na dënuan, të gjithë me dënime shumë të ashpërta, si nacionalistë e irredentistë të prishjes së atij vëllazërim –bashkimit dhe dëmtimin e atij simboli të stafetës së rinisë komuniste jugosllave. Mbetet një kujtim i fjalëve të Pajazit Nushit e të madhit Akademik Gazmend Zajmit, që në ditën e 26 marsit, në mesin e studentëve thanë: tash po e kuptojmë drejt rrugën tuaj; është rrugë e vështirë, e na uruan rrugë të mbarë”, këto fjalë ishin dhe mbetën si një forcë morale për 10 vitet e mija, dhe jo pa qëllim i them, se njëri nga këta është ende i gjallë profesori i nderuar Pajazit Nushi, që mund ta dëshmoj. Fatkeqësisht të gjithë në një mënyrë apo tjetër morën nga ne, apo na dënuan ne, morën në çdo lëvizje të më vonshme, duke u thirrur në ne që të ecin të tjerët kështu po vazhdohet edhe sot nga të gjitha partitë nga të gjitha lëvizjet, nga të gjitha qeveritë e përkohshme e teknike. Deri më sot, ende kush nuk u ndal njëherë që në një takim rasti apo te qëllimet të flet kush për ne. Kam dyshim se po bëhet me qëllim, duke i kuptuar, se ti “dërgosh lule martirëve tanë” edhe ai është nderim, por për ish të përsekutuarit askush nuk flet, janë shumë, kanë hallet dhe gjendjet e keqe shëndetësore, ka të vdekur nëpër burgje, ka të vdekur nga torturat, ka të vdekur në luftë, ka të verbuar, ka të sëmurë fizik, ka të sëmurë psikik, ka shumë nga ish të burgosurit që janë në një skamje, ka ish të burgosur që po e shikojnë se sa po mundemi të durojnë sot në shtet sovran të Kosovës. Para disa muajve doli dy herë një reklamë në RTK-ën e Kosovës për të drejtat e ish të burgosurve politik, u cek edhe dy tri herë në Parlamentin e Kosovës, por jo më dashamirësi nga kjo qeveri e sodit u shty, o hoq edhe për vitin 2010, e çuditshme, por e vërtet !!!?Nga këto lojëra qeveritare të pa ndërgjegjshme filloj dhe një peticion që ju dërgua Parlamentit te Kosovës, jemi në pritje të përgjegjës. Kosova e re: Janë harruar ish të burgosurit? Sylë Mujaj: Po, po jo vetëm të ish burgosurit, u harrua krejt periudha 1981- 1990, e dhe pse u harrua po e dijë të gjithë se të flasësh për këtë periudh duhet të dali e vërteta, këta nuk po ju intereson e vërteta pra po e lënë të harruar, por ti quash të harruar “gjymtyrët e Kosovës”, a është mundur të ecish dhe ti kërkosh dikujt drejtësi apo përgjegjësi shtrohet pyetja!!? E vërteta është ka vijë mendojmë, se nëse duku ka mbetur ndërgjegje do të jemi së bashku në përvjetorin e 30 të Pranverës studentore, që mendoj se ishte njëra ndër lëvizjet më frytdhënëse të Evropës, si Solidariteti i Polonisë, që e zhveshën njëherë e mirë atë demagogjinë staliniste apo atë “marksiste leniniste”, që në terori vërtet ishte e dinakë e kapshme, por dështoi në praktiken botërore, apo si e quaj unë, në fjalive të poetit Majakovskit: kur thoshte “se proletariatit të Rusisë sot po i vijë nga i njëjti rubinet dy ujëra: i nxehtë e i ftohti”,!?. Unë them se sot nga ajo demagogji mbeti në të njëjtin rubinet vetëm uji i ftoftë akull e mizëri acari. Me shpresë që ish të burgosurit politik të Kosovës, në njërën nga mbledhjet e ardhme të Parlamentit; me një minut heshtje për ata të dashur që nuk janë më; në mënyrë solemne t'na hiqen “prangat e robërisë”, me të gjitha ato nene 136 lidhur me 114-të që na cilësuan na dënuan na përsekutuan, na mashtruan, të kalohet në të drejtën elementare si te shtresat tjera, në të drejtën e qytetarëve, me të drejtë edhe politike edhe shoqërore. Kosova e re: Kaluan zgjedhjet lokale në Kosovë. I keni përcjellur sigurisht. Çka nuk ju pëlqeu nga këto zgjedhje? Sylë Mujaj: Vota e popullit është e shenjët te populli i qytetëruar, që padyshim edhe pse ishte një tubim fallto, pra nuk ishin zgjedhje normale që i takon një populli të sapo dalë nga lufta, pra as organizimi, as projekti nuk ishte i popullit, ishte i klikave apo grupimeve, që vetën e quajnë pushtet te Kosovës, në këtë kurthë ra edhe kësaj here populli i Kosovës dhe padyshim deri në orën e mbylljes së procesit u mundua ta tregoj sado kudo, atë shenjëtarinë e tij si popull. Mbas orës 19.00 h, çdo gjë kaloj në dorën e “hienave apo dreqit”, që të gjitha po i sheh edhe populli i skamur, por nuk po ka ç`të bëjë. U panë publikisht edhe u trishtua krejt Kosova me atë daljen në ora 11.00 që ta përkujtonte atë fisin e “Zulluve”, ishte e tmerrshme, që këta njerkë apo gjallesa të nesërmen dolën me qeshje para këtij populli që çdo herë mbeti i shfrytëzuar deri në të sotshmen varfëri të skajshme po thonë deri në 55-65%. Mendoj se kjo pranverë, që po vije do të ketë ndryshime nga të stërngopurit e qeverisë në njërën anë dhe populli shum i lodhur, por i vetëdijësuar në anën tjetër, duhet të pranohen zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme e normale. Loja e turpit u pa dhe në skenën tjetër, kur krimineli i vogël Bllaca, tregoi se kush kënd e ka grithur e vrarë, u përfolën shum emra që e udhëheqin kinse këtë popull. Ai krimineli i shtiu duart në xhepa e shkoi në shtëpi. Disa ditë u mbyllën komentet. Kur një ditë doli një farë “kauboji me sheshir”, avokat i thanë; sa interesant e tha fjalën prap para këtij populli: “se ai Bllaca tek na qenka i sëmur mental”, kjo lojë e intrigave sot në Kosovën tonë, kur nuk funksionon as elementi më i nevojshëm Drejtësi, as ligj. Nuk guxon prokurori as gjygjëtari ta dënojnë as një hajn ordiner, është vetë “pasqyra”, se deri ku kanë mbërritur këta pushtetarë apo deri në çfarë gjendje janë. Askush, nuk ka përgjegjësi, as kush, as i përfolur nuk jep dorëheqje, as kush nga kjo situatë e krijuar nuk fletë, askush nuk vepron.Të thuash se pritnim diç më të mirë, Unë edhe në Zvicër, e ndiej vetën e frikuar nga këta njerëz të përfolur me emra e mbiemra, që kërcënojnë në popull, vjedhin në popull dhe padyshim po vrasin në popull. Të gjitha këto skena po i shohim në Kosovën tonë, duhet të bëhet mirë padyshim, se këtë gjendje nuk e pranon më askush, as populli as miqtë tanë, siç ishte rasti tash i fundit që Ambasadori amerikan z. Dell, e përkrahu atë që duhej ta kishin bërë para një viti qeveria jonë, pra zonën e pa menaxhuar të Mitrovicës, duhet ndërrime urgjente në qeverisjen e popullit tonë... Kosova e re: A i mungon Kosovës brezi i ri i politikanëve që nuk u jepet hapësirë nga shumë politikanë që janë harxhuar? Sylë Mujaj: Këtu është vërtet një vërejtje e dashur edhe për popullin e Kosovës, që ënde nën dhembje apo traumat e kthimit të tij, nga ai gjenocid i pa parë në këtë shekull në planetin tonë. Ky popull, e dinë mirë se në kthimin e tij në tokën e Kosovës, në ballë apo që ti prijë nuk kishte askend, nuk kishte as lider, as president, as partiakë. Këtu është dhe madhështia e këtij populli, që jo e thënë vetëm nga unë hyri në thesarin e “popujve biblik”, derisa as liderët apo klanorët veç ishin ikur të parët apo nuk u gjetën.Vonë nga vrima të ndryshme dolën liderët, më vonë në ballë të këtij populli veç të kthyer nëpër vatrat e tokat e veta. Këtë pasuri të “kthimit biblik”, ky popull, këtë letër apo këtë fakt e ka në dorën e vet, pra është vetë Sovrani. Që kush ta ketë të drejtën ta udhëheq dhe kur lideri apo qeveria është e pa disiplinuar edhe ta heq apo ta ndërroj. Këtë të drejtë legjitime e ka populli në zgjedhje që po i vijnë. Po dëgjoj oshtimën e kësaj kërkese, dëgjova këtë oshtimë jo nga të vjetrit, por nga rinia e Kosovës, dëgjova jo vetëm oshtimë: Duam drejtësi e ligj, por oshtima kaloj dhe në fishkëllim të zëshme. Pikërisht nga bijtë e ri nga vet rinia e Kosovës, të organizuar nga një lëvizje fatkeqësisht e vetmuar e quajtur “Vetëvendosje”. Të gjithë ishin të rinjtë e Kosovës, që ju fishkëlluan drejtësisht të vjetërve, e që nga të vjetrit apo krejtësisht të harxhuarit, shih lypin drejtësi e ligj!!. Populli dhe rinia e saj. Kosova e re: A do i kushtoj Kosovës, mos njohjet nga shtetet tjera që ende nuk e kanë njohur pavarësinë? Sylë Mujaj: Dy vite pavarësi të aparatit shtet të Kosovës e të njohur botërisht nga 65 shtete me influencë botërore nuk është pak, është një dhurat për popullin sovran apo “popullin biblik”. Por, pikat e cekura më lart japin përgjigjen që aparati nëse nuk fillon shartimin me krejt kapacitetin që fatkeqësisht nuk e kishte këtë “elan” apo shpejtësi, përsëri faji ju lihet të harxhuarve nga takimet e Vjenës, /që ishin vetëm bjerrakohje/, apo shumica e tyre, kishin sa e sa herë lloj e lloj pushtete politiko qeveritare. Këta politikan të harxhuar apo të lodhur, e morën pushtetin të thuash më zhurma e me pakë vlera njerëzore. Nuk është e rastit, përfolja e tyre deri nëpër organizime të përfitimeve materiale e disa edhe të përfolur si shtytës të vrasjeve të spiunëve dhe atdhetarëve qytetar të Kosovës. Ky aparat i sodit është duke u mbyllur nga vete-vetja, është duke u marr me diletantizëm politikë e jo me diplomacinë që i takon një vendi të ri e të dalë që 10 vite nga lufta. Duhej të kishte të gatshme krejt aparaturën e diplomatëve, që me vite dhe pa dyshim, që i kishte por fërkimet e inatosura politike nuk ju besojnë as vetes së tyre, e leje më ekspertëve diplomatik të mërgatës së madhe shqiptare. Askujt nuk ju besojnë këta, se brenda i kanë “gafet” e veta, vetëm partiakëve të tyre servil, kështu që po shohim aty këtu që nga rinia e Kosovës, secilën ditë po e vjedhin nga “një qengj që sa do pak po lëshon zë”, si rasti i disa këshilltarëve të kryeministrit që shpesh me nerva të ngritura e kritikojnë “një hoxhë dhe e sulmojnë tjetrin”!!!?. Mërgata shqiptare, ka shumë ekspertë të ri, që pa mundin e madh po të emërtoheshin, do ta kryenin me krenari e disiplinë punën e shenjët diplomatikë e të dilej nga kjo gjendje e vendnumërimit, me njohje që pa dyshim priten të jenë të shumta, nëse dilet nga kjo situatë e mbyllur, apo me një mos guxim / nga sherret e veta/ as të hapet me guximshëm para veti e para botës së qytetëruar... Kosova e re: Jetoni në Lugano dhe njiheni edhe me lobistin kryesor të Kosovës, e humanistin, si dhe liderin e AKR-së z.Behgjet Pacolli. Si e shihni veprimtarinë e tij të madhe që është duke bërë nga katër kontinentet e botës, për ti sjellë njohje Kosovës dhe nga ana tjetër, ministria e jashtme e Kosovës, si duket i ik përkrahjes të kësaj mega pune që po bënë z.Pacolli? Sylë Mujaj: Në Lugano të Zvicrës jetoj nga viti 1991. Po me të madhin, apo afaristin tonë, të thuash më të njohurin në mërgatën apo më gjerë, njihem nga viti 1993-1994. Njohja ishte dhe mbetet një rast interesant edhe për opinionin, që unë e quaj një takim të dy malësorëve “bukur shumë krenar e kryeneç”? Isha në përgatitjet e simpoziumit për të madhin Aleksandër Moisiu, që duhej të mbahej në këtë qytet të njohur botëror, sidomos në vendin ku jetoj e shfaqi drama të ndryshme në teatrin edhe të sotshëm të quajtur “Kursal teatër”. Unë me ato emocione të burgut dhe duke ju ruajtur, që organizimi të shkohet në nivelin e Moisiut, kur një ditë më vjen një taksi, i cili më thot po të kërkon një njeri i yt: isha i nxënë, por shkova në një distancë afro dy km. Po hapej një derë e madhe para meje, vërtet po shoh, njoh fytyrë më karakteristika shqiptare. U ula, më ofroj në atë pallat si të kisha hyrë në një Mbretëri, një pallat të Luksit, të enterierit, por dhe pamja e këtij njeriu që quhej Behgjet Pacolli.Mbas një heshtje të tij burrërore, e unë bukur shum i humbur edhe nga puna ime që më priste edhe nga ky takim i çuditësh, apo të thuash “i ardhur nga Zoti”. E pyeta, pse unë jam këtu, ai ma ktheu, se ti nga je a po e din, se ke nisur një gjë të madhe, i thash po, a e din se Mosiu është i madh, i thash po, a e din se ky organizim duhet të kesh përgatitje të madhe, i thash po, këto potë e mija më nervozuan edhe mua edhe Behgjetin, dhe shpërtheu ajo burrërorja e vjetra që është karakteristikë veç të populli ynë... më tha se kush të ndihmon, i thash populli i kantonit Tiçino, çdo gjë është e rregulluar, që të vendosen të gjithë të ftuarit nëpër shtëpitë e banesat e shqiptarëve në Lugano e rrethinë. Ai më vuri dorën në krah dhe më tha: të gjithë njerëzit e Kosovës, e nga mërgata, mi lejon ti heq unë shpenzimet, për sa kohë që do të jenë në këtë qytet, tungjatjeta i thash burrit të malësisë dhe vërtet ashtu u bë, nëpër 5 apo 6 hotele të nivelit, u vendosën personalitete të popullit tim të vuajtur në kohën dhe kur ishte okupim nga Serbia. Jo vetëm shpenzimet e hoteleve, por dhe darkën përfundimtare që u krye nga ky njeri i popullit tonë, e ku pjesëmarrja ishte dhe mbeti e veçantë për tri ditë festë me numrin deri mbi 1600 veta. Që edhe shtypi zviceran nga ky moment nuk kishte më pretendime se Aleksandër Moisiu na ishte italian, apo dikush i thoshte hebre e disa gjerman. Rasti i Behgjet Pacollit, nuk u ndal vazhdoj të më ndihmoj edhe më në kohën kur ishin lëvizja e vullnetarëve për çlirimin e Kosovës, e ky nga ky qytet nga kjo luginë që i përmbledhte të gjithë vullnetarët edhe nga Anglia e shtetet skandinave, e të them të drejtën nga ana jonë vinin apo ishin të parët me qindra veta të organizuar në Lëvizjen kombëtare për çlirimin e atdheut, ku këta ishin të parët nga krejt mërgata shqiptare, sepse nga dy organizimet tjera si qeveria apo LPK-ja, thoshin se ka njerëz boll në Kosovë, ku nga lokali i quajtur “Art-Atelier” në Lugano, për një vit u pagua nga Behgjet Pacolli. Shfrytëzoj rastin, ti përshëndes të gjithë vullnetarët që sot janë gjallë nëpër Kosovë, apo në mërgatë, që numri i tyre ishte i madh me qindra e qindra. Përshëndes edhe bashkëveprimtarët e njohur që kurrë nuk u ndam e që janë Vehbi Sokoli, Murat Qeta e Gani Hoxha, që njëhërit janë dhe dëshmitarët e vërtet të organizimit dhe përgjegjësin ndaj tyre deri në Kosovë. Përshëndes dhe familjet shqiptare në kantonin Tiçino, që çdo herë ishin të gatshme të i pranojnë e përcjellin mysafirët, që nuk ishin të pakët në ikje nga Kosova apo për kthim në Kosove, sepse Lugano ishte dhe është porta e madhe e pritjes së njerëzve me halle edhe nga Shqipëria nga Maqedonia e Malësia. Behgjeti ndihmoi dhe në shumë raste të tjera që pa dyshim do të ceken, si dhe ndihmat humanitare që unë i quaj të dy Kamionët e tij, si “dy atllarët” që mbushur me gjëra të nevojshme për popullin e Kosovës shpesh të dy këta Kamion atllarë, /sepse ishin të hijshëm e të mëdhenj, vetëm njëri mbi 20 m. i gjatë/ edhe në rrugë edhe në Autostradë ecnin e bartnin pa ndërprerë, ndihma që u shpërndanë drejtësisht nëpër Kosovën tonë. Ardhja e Behgjet Pacollit dhe hyrja i tij në politikën e Kosovës, është diçka krejt e veçant, apo ti thuash e një politike të re për Kosovën e re. Mbështetur nga Miku ynë i madh nga Amerika, ku zyrtarisht në Amerikën Mike është dhe baza e Aleancës së kësaj partie Kosovës se Re. Si Behgjet Pacolli, kemi edhe afaristët tanë të tjerë që ardhja e tyre si Hajdar Bajraktari, Gjemë Gjema etj, e nderojnë Kosovën, sepse në mos tjetër paraja e tyre sillet në Kosovë, pra po vjen një kapital te populli im. E nuk po del siç janë rastet kur me qindra miliona Euro po dalin nga Kosova, në këto ditë po jepen e përfolën edhe emra ministrash!!? Kjo është e dhimbshme për një pjesë të njerëzve të përfolur. Deri dje me duar në xhepa /besa edhe të shlyer/ e sot kanë bërë kapitale të pa imagjinuara dhe kurrë nuk ishin me ndonjë biznes jashtë Kosove. Këta njerëz të pa imagjinuar e sot me kapital te madh me siguri i pengon Behgjet Pacolli. Padyshim, duhet ti pengon, e të filloj drejtësia edhe në menaxhimin e të mirave të Kosovës, se kah po shkojnë, çka po hyn e çka po del nga Kosova. Po të ishte i mirëpritur nga partitë në pushte të Kosovës Behgjet Pacolli, deri më sot do ti sjellte edhe 10–tra shtete, në njohjen e Kosovës, por në Kosovë nga këta padronë te sodit, është rrezik, se do t`ju ikin edhe shtetet e mbledhura deri më sot. Kosova e re: Ti kthehemi kohës që kur keni qenë në burgjet e Serbisë. Z.Mujaj, keni kontakte me miqtë tuaj që i keni kaluar në burgje? Sylë Mujaj: Të burgosurit politik të Kosovës apo qysh duhej të quheshin “Gjymtyrët e Kosovës”, janë shumë, janë deri në 10.000 mijëra që sot fatkeqësisht nëpër institucionet tona mund të jenë disa dhjetëra vetë, e të tjerët, shumica nëpër Kosovë, në një gjendje të mjerë, shëndetësore, fizike e psikike, shumica ju mungon edhe të parit. Dëgjohem me ta me shumicën e tyre. Te gjithë, edhe ata që sot janë nëpër institucionet e popullit tim, edhe ata nuk janë të kënaqur, me gjendjen e krijuar apo dinakërisht e krijuar, As një parti apo qeveri, që ishte edhe para lufte edhe mbas lufte, nuk po e çeli apo po e çel, po e mbajnë mbyllur këtë Etapë të ndritur të popullit tonë. Sot, na mungojnë shumë shokë burgu, si Ukshin Hoti, Halil Alidema, Ismail Haradinaj, e shumë e shumë të tjerë, që as në aspektin moral nuk po i del kohë kësaj apo asaj qeverie që së paku kjo periudhë sot e mbetur vetëm në histori apo edhe këtu e keqë interpretuar, me qëllim e deformuar, nga pushtetar të ngutshëm apo të rastit, që vet mundohet ti thur lëvdata deri te një kryetar, president, kryeministër, i madhë i veçantë e madhërishëm etj, etj. Mendoj se “ka zot” ky popull ,pa hapjen edhe të kësaj periudhe të ndritshme kundër pushtuesit dhe kundër asaj të keqe majtiste, që veç piu gjak në popullin tonë, është çdo lëvdatë e më vonshme, aq dinake, aq servile, aq injorante sa mos paça punë me këta të mjerë, që vetes i thurin lëvdata. Shih, çdo herë, këta dinak mbështeten në po këta gjymtyrët e Kosovës, apo ish të burgosurit politik. Të ja lëm fajin përsëri ish të burgosurve apo këtyre gjymtyrëve të popullit, që nga modestia e tyre apo tradita e tyre: “që i burgosuri politik, kurrë nuk merr pushtet, por jep pushtet”,kjo modesti u shkel nga matrapazët e rastit apo të ngutjeve të mëdha. Ju bëjë apel, që ta kthejnë kokën pakë, se pa këtë periudhë të bijve apo familjeve më të mëdha nacionaliste apo irredentiste, qysh na pagëzuan nuk mund të zhvillohet as një drejtësi e ligj normal, në një shtet normal në Kosovën e Vogël. Sot, pronë e ndonjë lideristi idhnak apo klani regjional. Të burgosurit duhet të bashkohen me popullin, me rininë e së bashku edhe në pleqërinë e tyre “me prangat e tyre të Oshtijnë së bashku me Vetëvendosjen normale të Kosovës tonë. Po e kërkon koha, po e kërkon toka e Kosovës. Ju është ndeshur “shara në gozhdë”, vetëm te ish burgosurit do e heqin gozhdën, sepse aty është populli, aty është e vërteta, aty është rinia, aty është drejtësia dhe ligji i vlerave funksionale për Kosovën e re. Kosova e re: Tani në burgjet e Serbisë po maltretohen djemtë e Luginës së Preshevës. A duhet të ngrejë zërin edhe Kosova, për këtë pjesë të atdheut, kur po maltretoehën padrejtësisht nga qeveria aktuale serbe e cila po pretendon të hyjë në BE, duke shkelur të drejtat autoktone të shqiptarëve autoktonë të Luginës së Preshevës? Sylë Mujaj: Gjendja reale e Ballkanit po ndryshon, Kosova e bëri edhe një hap drejtë zgjedhjes së padrejtësisë shekullore, po nga këta miqtë tanë të sodit, ka ndryshime pozitive. Dy vite aparati-shtet Kosovë, po shihet se nuk po i përmbush as për veti detyrat e një republike sovrane. Është në pyetje, që edhe plani i Ahtisarit të ndërrohet me ndonjë letër tjetër, apo me atë më të thjeshtën; Union të shqiptarëve në bashkësinë evropiane. Sa po kalojnë ditë e muaj, unë po bëhem aq dhe më i bindur, se kjo është më frytdhënësja për Ballkanin, tashme të qetë e stabil. Këtë e dëshmojnë edhe vetë gjendja e pa menaxhuar e Kosovës apo një rast që duket banal, por interesant që ndodhi në Kosovën tonë. Ç`të them, për gjendjen e Luginës se Preshevës, kur unë si qytetar i Kosovës, para dy muajsh, pikërisht në shtëpinë time ne Pejë, pash skena, si sot në Burgosje e demolime të shtëpive të tilla në Preshevë, pash në Kosovë në atelien time ku ishin dhe janë vizatimet e burgut, ku nga qeveria jonë apo “shtysat” idhnak, partiako-klanor apo lloj–lloj pobratimi, që sot kanë pushtet, u demolua shtëpia ime, ku ka vetëm vizatime të ish te burgosurve, “nuk vodhën asgjë, por thyen çdo gjë”, nga ne ish të burgosurit. Pamjet që po ti dërgoj janë më të rënda se sa nën pushtimin e Luginës se Preshevës, sepse atje është ende Pushtuesi klasik apo Serbia, kurse ne Kosovë, kur mendonim se e kemi sigurinë e pushtetit nëpër shtëpitë e sidomos vlerat e burgjeve apo luftës, të cilat janë të shenjta. Unë deklaroj, e nderuara agjenci e lajmeve “Kosova e Re”, se me njerëz të përfolur në qeverinë ton, unë po frikohem dhe e ndiej edhe veten të rrezikuar, veç pse po e them të vërtetën në popullin tonë. Besoj se referendumi popullor, do ta thotë këtë mundësi të vetme. Kuptohet, duke i ruajtur pasuritë e etnive të ndryshme, marrëveshja për minimumin tonë që ishte i pranuar nuk u realizua, ajo që të funksionon Kosova me territorin dhe kufijtë e saj. Të gjithë e dinim, se ishte veç minimumi i çëshjes dhe rrjedhave të një kombi të ndarë. Ajo po ngec, por në vetëdijën edhe 10 vite mbas lufte, secilën herë edhe te të tjerët po bëhet e qartë, si nga fjala e të ndjerit Robin Kook / anglezit/ analist i njohur i Ballkanit, i cili tha: “vetëm bashkimi i shqiptarëve e qetëson Ballkanin”. Ka shenja të mira që jemi në këtë rrugë bashkëkohore në procesin e bashkimit kombëtar. Kosova e re: Në Zvicër keni organizuar shumë aktivitete, ku keni qenë edhe koordinator i simpoziumit kushtuar jetës së Aleksandër Moisiut. A mund të na flisni pak më gjerësisht në lidhje me atë organizim, që njihet edhe më shumë figura e Aleksandër Moisiut nga të gjithë? Sylë Mujaj: Nga viti 1991 kur mendoja se do të rrijë pak sot po bëhen 20 vite, vazhdimisht jam marr vetëm me çëshje të kulturës, nga viti 1992 isha si shoqatë kulturore me emrin e “Aleksandër Moisiut”, që ka vepruar në Bashkësinë e klubeve dhe shoqatave shqiptare te Zvicrës, ku nuk e fsheh se përgatitjet për përvjetorët e Moisiut kanë bërë një ringjallje- freski deri në rritjen e anëtarësimit nëpër çdo shoqat apo klub shqiptar. Ku çdo herë, kishte tribuna letrare e shkencore, që ishte dhe mbeti një kontribut i madh i përgatitjes së popullit në rrugën e çlirimit. Është një rast i mirë, që të dinë edhe opinioni shqiptarë, që shpesh nëpër tribuna për të madhin Aleksandër Moisiun, nëpër klube e shoqata zvicerane, së bashku me ne ishte dhe ish presidenti i Shqipërisë, që ishte dhe mbeti një njeri i madh, që për ne nga Kosova pa hezitim e shpjegonte gjendjen e vërtet në Kohen e Diktatorit Enver Hoxha. Tregonte për rrjedhat familjes Moisiu në Kavajë, Durrës e Austri...apo të vetëdijësimit apo të menduarit shqip.Kontributi ishte i përbashkët deri në finalizimin e simpoziumit me vlerë botërorë, që u mbajt në Pallatin e Kongreseve të Luganos” e ku morën pjesë mbi 1500 vetë. Edhe sot posedoj një material të rrallë botërorë në arkivin tim, që jam duke e sistemuar që të shkoj në vendin e vetë. Kam shfaqur ekspozita të ndryshme, si “Psikologji nga burgjet jugosllave”, ku dy mbesin të përkujtuara denjësisht. Njëra në kohën e Masakrës së Srebernicës, kur për krejt Kantonin e Ticinos, u mbajt në Roveredo të këtij Kantoni. Ishte e hapur një muaj për çdo shkollë fillore e të tjera, qe të shohin se si edhe nëpër burgje, kur nuk ka pas as elemente të nevojshme, kishte disi jete, kishte vizatim, kishte skicim, kishte karikatura etj, kishte këngë burgu. Në këtë ekspozitë, ish së bashku me punimet e mikut tim Hydajet Hyseni, i cili gjithashtu ka një thesar të madh të punimeve. Kishte punime edhe nga dëshmori i sotëm i Kosovës Gursel Sylejmani. Në Zvicër kam organizuar edhe ekspozita të tjera, ku ndihmë të pa kursyëshme dhe bashkëpunëtorë ishte dëshmori, artist Agim Ramadani. Në Bolzano të Italisë, kam pasur një ekspozitë të mirë, ku jam dalë me afro 100 punime vetëm nga burgu. Kosova e re: Jeni edhe artist i pikturës. Ku e gjeni frymëzimin e krijimit? Sylë Mujaj: Në kontakte me Maestro Ibrahim Kodra, i cili ishte si gjysh i familjes nga viti 1991 e deri në vitin 2006, kemi pasur bashkëpunim. Këtë afri e bëri miku im arbëreshi apo sekretari i të madhit Kodra Dhimitër Patitucci. Dhimitëri është një shok edhe nga studimet e Prishtinës, gjate kohës së demonstratave të vitet 1981. Kur, unë rashë në burg, e Dhimitri iku nga Kosova, i cili nëpër gazetat italiane e botërore së bashku me Maestro Kodrën, kanë njohur opinionin mbi ngjarjet dhe burgosjet tona. /Me ne atë kohë ishte dhe një tjetër arvanitas, që quhej Koqo Mizo /Kostas Mizis/, i cili si mbas disa të dhënave gjendet në Institutin e gjuhëve të huaja në Tiranë. Që të dal nga grafika, është ndikimi i Kodrës, i cili më dha energji e frymëzim të kaloj nga grafika në pirografi, ku kam disa qindra punime nga kostumet tona ndër shekuj. Më vonë, përsëri me ndihmën e Kodrës, kalova ne xylography, me zall gurë e me akrilik. Ku kam disa dhjetëra punime të formatit të madh dhe në fund çka ishte e mbeti ëndërr e Kodrës, që ta prekja edhe Mozaikun e mermerit të llojeve, ku i kam disa punimë të formateve murale. Kosova e re: Z.Mujaj, ju falënderojmë që pranuat të bashkëbisedojmë edhe pse kem natyrisht shumë gjëra pa përmendur, por shpresojmë, që edhe në të ardhmen e afërt do kemi se çka do ti sjellim lexuesve tanë nga intervistat tjera. Sylë Mujaj: Ishte edhe kënaqësia ime. Ju uroj juve të AMC (ALBANIAN MEDIA CENTER), pra Qendrës Mediale Shqiptare në botë, suksese. Intervistoi: Dashnim HEBIBI

Interviste e imi dheneeditor www.kosovaere.ch dhe Albanian Media Center

Geen opmerkingen:

Een reactie posten

Pershendetje e me deshire e dicipline qytetare i pres komentet e Juaja