NJERËZIT NUMRA
Sylë Mujaj
Njerëzit Numra
Rilindja 1998
Tiranë
Sylë Mujaj
Njerëzit Numra
Poezi
Përkthimi:
Demetrio Patitucci
Milano
Ballina: autori
Vizatimet e librit
Shtypshkronja:
“R i l i n d j a”
Tiranë, Albania.
Autori falënderon ngrohtësisht familjen
Gasser (Catherine dhe François), nga Tiçino e Zvicrës që mundësuan botimin e përmbledhjes, “Njerëzit Numra”
Vitet e pafajshme të një jete të njomë dhe ato të mërgimit jashtë atdheut pas tyre, kjo është galeria e motiveve dhe portreteve të këtij libri me vargje e piktura të Sylë Mujës.
Kujtoj së librin e cilëson një vlerë e veçantë përse duhet të botohet.
Është vlera e dëshmimit të njëmijëenjëhershëm së krijimtaria dhe akti krijues janë vetvetiu çlirim dhe liri që nuk mund të burgosen.
Azem Shkreli
Shkrimtar nga Prishtina
Para përmbledhjes mbresëllënse e poetike të Sylë Mujaj, mua, që i takoj kulturës italiane, mendimi gjithnjë më vete tek Silvio Pellico (Pelliko) që hoqi dhjetë vite burg të rëndë, në kështjellën morave të Spielbergut, për fajin (nëse kështu mund të thuhet) se e deshi atdheun dhe lirinë. Nga ajo përvojë dhembjeje, ai përfitoi dhuratën e dyfishtë, ringjalljen e besimit të plotë fetar dhe frymëzimin poetik: një poezi e shprehur në prozë, në dukje të thjeshtë. Ç`Thjeshtësi tmerrshme!
Qe e mundur të shkruhej se libërthi Burgjet e Mia i kushtoi Perandorisë Austriake më tepër se sa një betejë të humbur.
Nuk kisha dashur të krahasoj; por, po e përzër, mendimin pashmangshmërisht më vete atje. Edhe këtu gati dhjetë vite burg; një burg aq i rëndë, sa na bën të shtangemi. Një shpalosje e këngës, kësaj radhe në vargje por edhe në
Vizatime (vizatime që më kumtojnë ndjenjën e një vuajtjeje ç`njerëzore), që më lënë pa fjalë,por për këto shprehet edhe shqiptari i madh Kodra, e unë i përulem këtij autoriteti.
Dëshpërim ? Unë do të kisha folur për një shpresë që autori ka ditur ta gjejë përballë ç`do dëshpërimi që mund të përftohet, përmes vullnetit për një qëndresë të paepur, që më në fund triumfon edhe atëherë kur askush nuk mund ta parasheh qoftë edhe një dritë të zbehur në fund të tunelit të tmerrshëm. Pothuajse metaforë e të gjithave, tuli i bukës ndahet nga racionet e holla: “Në të do ta gdhend fytyrën e nënës trime, /Është punë e dashur por shumë e vështirë, /së n`rrudhat e ballit t`nënës, pjesë e jetës sime. Emri që bëhet numër: “Lojë me njeriun, lojë me emrin /712“. E më këtë numër 712 shtrirja e kohës: “një vit, dy vite … dhjetë“. Në atë numër ndërlidhet jeta, gjë që duket e pamundur.
Kthehem të “copa e bukës”, të portreti që ngelet në “pritje”, në fakt është “shpresa që përbiroi muret e qelisë“. Më tutje flitet për "një zë" për "një dritë" e para e dëgjuar e dyta një vagëllim, që "rrjedh një zë, një dritë,/ si nëpër birë të fytëzës". Pastaj: "Ditë të gjata/ net të gjata": "Deti i Tivarit lidhur me tel". "Plisa të bardhë /mbi bunacë të kuqe".
Por, pa pritur, një lule "çeli në oborrin e qelisë", shkelur menjëherë "nga një këmbë polici": por kjo lule do të rilind; "vitin tjetër, /në çdo plasë betoni/ bulëzoi nga një lule".
Dhe poezia tjetër “Vizita” që të bënë si një ëndërr joreale: “Një ditë hyri një fëmijë /në derë të policisë”.Kisha dashur ta citoj të gjithë poezinë: “U ul pa bërë zë/ në pragun me dritë./ belbëzoi diçka /më zërin e fëmijës/, Për mua qe dhe mbeti /më e mira vizitë”.
Duke i`u kthyer edhe një herë Pellikos, ma kujton memecin e vogël në oborrin e burgut të tij të parë në Milano;apo fëmijët që qëndronin përtej rrugës përballë dritares se qelisë ku ai ishte i në burgun e tij të dytë në Piombi të Venedikut. Ja: aty përtej vdekjes është jeta: fëmijët janë siguria e rilindjes, e jo pa ndonjë arsye, aty kah fundi, poezinë “Natyrë”, Sylë Mujaj u`a përkushton tre fëmijëve të tij duke u uruar që të jetojnë në një botë më të mirë dhe në plotëni lirie.
Përmbledhja “Njerëzit numra” është mbresëlënëse dhe e thellë: ndërsa unë e shpalosa me hope dhe ngutshëm.
Mario Agliati
(Shkrimtar nga Lugano)
Vizatimet e Sylë Mujës, me gjithë lirinë shprehëse, krijojnë një emocion të gjallë sepse lindin nga thellësia e një toke të vuajtur. Toka ku ai lindi është ajo pjesë e ndarë e Shqipërisë që quhet Kosovë.
Për këtë duhet të përfaqësohen vuajtjet e dhjetë viteve, në një botë të izoluar dhe të mbyllur në një burg ku ai ka mundur të konstatojë se cilat janë plagët e botës ku jetojmë. Për këtë arsye ato zgjojnë interes të veçantë tek publiku vëzhgues sepse krijojnë përshtypjen se janë përshkruar me gjak njerëzor të atij që ka jetuar i fshehur nga rrezet e diellit, por njëkohësisht u shfaq njerëzve guximin e të mbijetuarit edhe gjatë momenteve të vështira.
Për të thënë më shprehjen e Garsia Lorkës, Vizatimet dhe poezitë e tij na bëjnë të kuptojmë se: “Jeta nuk është ëndërr, por mish i gjallë”.
Ibrahim Kodra
(Piktor nga Milano)
“Grilat”, Burgu i Nishit, 1990
Burgu i Nishit,
1981-1990
(15 poezi)
“Nëna“ (vizatim), Burgu i Nishit, 1990
Portreti i nënës
(akrostik)
Për brengat e nënës, rrudhat në ballë,
Ofshamjet e saja për bijtë në kurbet,
Rënkimet e mbushura plot me mall,
T'i kthehen bijtë në prehrin e vetë.
Rikujtoj këto skena më akull të kresë,
E zemra n'qeli humb turrin e vetë,
Tulin e bukës e ndaj me kujdes,
Nënës duhet t'i bëj një portret,
Është tuli i bukës n'qeli gjëja më e mirë,
Në të do ta gdhend fytyrën e nënës trime,
Është punë e dashur por shumë e vështirë,
Së n'rrudhat e ballit t'nënës, pjesë e jetës time.
Së pa mund të madh u arrit pamja e nënës,
Ishte pamja e saj; goja,balli e hunda,
Më shikim të largët, si në lindje të hënës,
E që portreti i dashur nga tuli i bukës:
Burgu i Nishit, 1984
“Kokat tullace”, (vizatim), Burgu i Nishit,
Qethja në qeli
Katër veta
rresht për dy,
presin gërshërët.
Katër numra
të krasitur.
Nën komandën
rresht për dy.
Burgu i Nishit, 1982
“Ushqimi i bollshëm”, Burgu i Nishit,1983
Numri 712
Lojë me njeriun
lojë me emrin.
712.
Një vit,dy vite...
dhjetë.
Emri kthyer në numër
në "maticni broj"*
712.
Burgu i Nishit, 13.08.1984
*.- teksti në gjuhën serbe: numri i amzës.
“Tej grilash”, Burgu i Nishit, 1984
Tej grilash
Shpresa përbiroi
muret e qelisë,
copëz buke
nga racioni u nda.
Për portretin
tej grilash,
shikimin mall
në pritje.
Sytë
janë gëdhendur këtu
në tulin e bukës.
Burgu i Nishit, 1988
“Leximi në burg”, Burgu i Nishit, 1982
Pesë hapa
Në ç'do të pestin hap
përpëlitemi me Hadin,
të mos bimë
në dorë të Luciferit.
Në pesë hapat tjerë
trokitje në mur.
Si nëpër birë të fytëzës
rrjedh një zë,
një dritë.
Perëndesha Thanë
të paktën është me ty.
Burgu i Nishit, 29.07.1982
“Kulla e Dukagjinit”, Burgu i Nishit, 1984
Kulla e Dukagjinit
Nëpër hapat e mijë,
larg e larg mendime.
S’di se si
Kullë e Dukagjinit
më erdhi në qeli.
Qëndro me tha,
nga frëngjitë e larta
filloi oshtimë,
në hatulla, gurë e oxhak.
Ecnim në pesë hapat e qelisë
Të dy me kokën lartë.
Burgu i Nishit, 1984
“Plisi i bardhë”, Burgu i Nishit, 1983
Plisi
Plisa të bardhë
mes brigjesh
të tokës së vetë.
Kolonë e vdekjes
djajtë e katërt rreth.
E gjatë
ditë e natë.
Deti i Tivarit
lidhur me tel.
Plisa të bardhë mbi
bunacë të kuqe.
Burgu i Nishit , 23.04.1984
“Lulja e betonit”, Burgu i Nishit, 1984
Lulja
Qeli n'oborrin e qelisë
në pllakën e betontë
kundruall lirisë.
Formoi kurorë,
ushqehej me ne
nga ora në orë.
Një këmbë polici
shkeli lulen e porsaçelur.
U shua çdo gjë
për atë vit.
Vitin tjetër
në çdo plasë betoni
bulëzoi nga një lule.
Burgu i Nishit, 1983
“Shtypi i vonuar”, Burgu i Nishit, 1984
Copë letre
Copë gazete
në oborrin e burgut
hedhur nga dorë
e shqiptarit.
Ne hap pas hapi
deri në qeli.
Copë letre e hedhur,
Minatorët e Trepçës
kërkonin liri.
Burgu i Nishit, 1989
“Numrat e amzës”, Burgu i Nishit, 1982
Njerëzit numra
Katër pjata,katër lugë,
katër krevate të ngushta
për katër numra.
Secili numër me kokë tullace,
secili në botën e vet.
Vitet e rinisë
1,2,3,4,5,6,7,8,9,10-të.
Më të voglën shpresë
njerëz në numra
të mos ketë.
Burgu i Nishit, 22.07.198
“Në qelinë e Nishit”, Burgu i Nishit, 1985
Skicë e të burgosurit
Duhet t'i heqësh viza e sfonde
çdo gjë në sy ti gjesh.
Sy të thelluar, rrudha,
vetull me vetull
përpjekur,
Thinja,shkrumb në buzë
pa një rreze dielli.
Një dorë në mjekër,
tjetrën n'tamth.
Tani
mund ta pagëzoni
në daqi skicë
në daqi portret.
Burgu i Nishit, 1984
“Nënë e baba”, Burgu i Nishit, 1989
Në vizitë
Një ditë hyri një fëmijë
në derë të policisë.
U ul pa bërë zë
në pragun me dritë.
Belbëzoi diçka
në zërin e fëmijës.
Për mua qe dhe mbeti
më e mira vizitë.
Burgu i Nishit, 1986
“Numërimi në burg”, Burgu i Nishit, 1984
Pa emër
Nata e cemtë
erëra të rrepta solli.
U fanit stuhia,
mjegulla mbeti varë.
Agimi i hershëm
maska të vjetra çori.
Burgu i Nishit, 1986
“Tomë Milicaj ende në burg”,
Burgu i Nishit, 1988,
Tomi
Ky emër tingëllonte
pas barrikadës ato ditë.
Ky që dhunë nuk duronte
hakmerrej me paqe.
Tomi ishte i madh
n'barrikadim paqësor
në një burg n'Serbi.
Konserva e drejtorë
hynë në kampin e zi.
Barrikadë shqiptare
me kostum të ri.
Burgu i Nishit , 15.01.1990
"Zvonko nga Kroacia”, Burgu i Nishit, 1987
Kroati i ri
Pushkën nuk e donte,
kështu thoshte akuza e tij.
Tri vjet i lirë në burg,
tri vjet i robëruar në liri.
Serish po ajo akuzë,
pushkën nuk e donte.
Kështu disi e bënte jetën
Kroati i ri.
Burgu i Nishit ,1987
“Leximi në burg”, Burgu i Nishit, 1989
“Në lëvizje…”, Burgu i Nishit, 1988
“Izolimi”, Burgu i Nishit, 1987
“Kosova 1981-1996”, 1996 ,Lugano
NË MËRGIM
1991 – 1996
(10 POEZI)
“Rruga e Ballkanit sot”
(imagjinatë), Lugano, 1995
Loti i qyqes
Në shtatë kallinj bari,
lot,
brenga,
kobe
në shtatë rruaza.
Largoni fëmijët
të mos i prekin
gërshetat e këtyre luleve
me "margaritarë "
nga loti i qyqes.
Së shtatë kallinj bari,
po shtohen lot,
po shtohen brenga,
po shtohen kobe
nga shtatë rruazat
e lotit të qyqes.
Lugano, 1994
“Ura e Shenjtë”, (imagjinatë), Lugano, 1995
Enjti
Mos të leftë në derë farë e keqe,
në murriz të qitet ligësia e shpirtit.
Vetës t'ia caktosh peshën në kandar,
je cep i gurit në themel të shtëpisë,
I gatshëm me krahun tënd të djathtë
t'i falesh Enjtit.
Të vdesësh pavdekshmërisht të bëhesh fli,
për tokën, për qiellin, për themelin e shtëpisë.
Gjol i thanave të kuqe,
sado pak të shuash etjen e tokës,
duhet fli
për Enjtin dhe tokën ilire.
“Vizatim”, Lugano, 1993
Premti
Pragu i premtimit,
cili duhet të jesh
n'këto ditë të brishta ?!
Je Ndeshtrashë
apo mbanë nga Thana?!
Mësohu se e premtja
është e Premtit.
Premtimet po i vonohen
Tokës,
rrumbullak një javë
të Enjti ynë.
Lugano, 1994
“Lugano ‘94”, Lugano, 1994
Simboli
(Piktorit të njohur Ibrahim Kodra)
Trekëndësha, katrorë, trapeza,
ngjyra e katërt, e gjelbër
kuq e zi,
rruga jote për në kodër
Kodër.
Skicë, sy përlotur në papirusin tënd
të kodrave e gjeneratave
mbi kodër ,
Kodër.
Jeta simbol, biografia
trekëndësh:
Ballkan, Lindje,
Perëndim
Kodër.
Lugano, 1995
“Shtegu i Ashtit”, (imagjinatë), Lugano, 1994
Ëndrra mërgimtare
Lulen e shtogut i pari e pashë
me natje, herët në pranverë.
Dorën mbi vetull
drejt në lindje të diellit;
bu-bu, është toka ime kjo ?
Imazhin e kobit mos ta sjellim,
gra shterpa mos të ketë,
t'marshojmë dasmërisht,
fishekët e gëzimit
të dalin nga koburet.
Ardhja e mbarë
nga Qafa e Qyqes.
Mos të harrohet
loti i mërgimtarit që shket
nëpër ëndrra
dhe nëpër lulen e shtogut.
Lugano, 1992
“Parku i Bellinzonës”, Bellinzona, 1991
Pushimi
Ulur në një park
humbur në perëndim,
sodis gjethet e verdha
që bien për dhe.
Trupi me rrëqethet,
me vije mundim,
ç'bëj unë këtu,
pse jam nën këto rè.
Thinjat e mija,
gjethet që bien,
shenja të vjeshtës
do të vjeshtoj.
Rinia më treti
larg nga vendi im,
"kënga vaj i burrit",
unë po këndoj.
Lugano, 1991
“Vorbulla e këtyre viteve”, Lugano, 1996
Eridise
Dita që linde ti
ishte ditë e zezë.
Të kapërdiftë mortja,
Rrëshaja të bëftë shoqe për jetë.
Në Majën e Lujve
gjeq vend...
Të mbuloftë gjaku,
hisja tu shoftë,
murrizin të biftë
në derë.
E liga e fisit.
Gjini i nënës
ta pruftë kumtrin.
E lëçitura e fisit.
Mbete Eridise ilire
Edhe ti.
Lugano, 1994
“Gëzimi i jetës”, Burgu i Nishit, 1989
Natyrë
(fëmijëve te mi: Fjollë, Vesë e Bli)
Akrostik
Fjolla
Flokëz dëbore e vogël nga qielli,
Je ra në tokë, mos të shkrihesh,
O e mirë fjollë, mos të frikëson dielli,
Loz e vrapo më shumë të rritesh.
Lexoje emrin tënd akrostik e ke,
Albanë ilire ti për mua je.
Vesa
Vetëm një pikë uji në lulen kurorë,
E bukur e vogël plot shkëlqim,
Si "nektar" uji, n'mengjez pranveror,
Arrite n'këtë botë që të kesh guxim.
Bli
Bukuri e kurorës, hyre në legjendë,
Lule të mira mbushur aromë,
Ishte druri yt që arti u gdhend,
Në të mirë të njerëzimit gjithmonë.
Lugano, 1994
“Nëpër lulet e ankthit”, Lugano, 1996
Ankthi
Lëndove bulëzimin
e rrënjës së gjakut.
Aty ka origjinën
jeta jonë,
aty është burimi
për besën tonë.
Preve sythat shqip
atëherë kur shpërthyen
në tokën Dardane.
Mos shkel
në rizome t`lules se ankthit,
në sheun e gjeneve,
të fisit tim.
Lugano, 1995
Lugano, 1995
“Dora në dorë”, Lugano, 1996
Të gjithave t'u besoj
Në lojën e letrave dy herë mu shfaq mbreti,
Sot për çudi nzura n'thua në këmbët e mia,
Troja prej sot thonë gjendet të Neretva.
Cep i Atlantidës u pa në Mesdhe.
Vrima e ozonit përditë po rritet,
Më kot lypset virusi i kompjuterit.
Astrologjia merr kohën e lajmit ditor.
Operacioni cezaresk u zbulua në Meksikë.
Horoskopi qeli rrugën e disidentëve për pushtet.
Shën Sava gjeti biletën kthyese për Siberi.
Pirroja edhe një herë e fitoj luftën.
Formula e Binomit me katete
po bie nga hipotenuza.
Ligji i Gravitetit hyri në horizontale
në Shpellën e Gadimës në Kosovë.
Gotikë më Arabeskën u vunë në
arkitekturën e Botës.
Unë mbeta dhe vendosa tu besoj te gjithave.
Lugano, 1994
Sylë Mujaj
“Skicë – portret: Sylë Mujaj”
Burgu i Nishit, 1986, Hydajet Hyseni
SHENIME PËR AUTORIN:
Lindi më 1958 në fshatin Dugaivë, komuna e Pejës(Kosovë). Shkollën fillore e të mesme e kreu në vendlindje e tij. Në vazhdimin e studimeve universitare si inxhinier i agronomisë. Para se ti përfundon studimet arrestohet si pjesëmarrës i demonstratave të protestave studentore.
Dënohet me 10 vite burg se pari mbahet në Prishtinë e ku në nëntorin e vitit 1981 transferohet në kampin e Nishit në Serbi, në kampin e njohur “hekur e beton”, në të cilin qëndron deri në prillin e vitit 1990.
7 vjet e dy muaj i kalon në të ashtu quajtuarën “grupa pojaqanih nadzora”, (izolim). Një vit në mesin e të sëmurëve tuberkular, të cilët ishin në fundin e jetës së tyre e një vit në punë të detyrueshme.
Me ndihmën e Amnestis Internacionale dhe Komitetit të Helsinkit lirohet nga burgu.
Zvicra ia njeh strehimin politik.
Jeton në Lugano së bashku më familjën e tij.
kafja e mengjesit dhe intervista ne Atëdhe vera 2010
Biografia
Studimet e larta në Prishtinë si inxhinier i Agronomisë. Para se të mbaronte studimet arrestohet nga policia serbe si pjesëmarrës i demonstratave studentore në mars të 1981. Dënohet me 10 vjet burg. Në fillim në burgun në Prishtinë dhe në nëntorin e 1981 transferohet në kampin e njohur “hekur e beton” të Nishit në Serbi. Në këtë kamp qëndron deri në vitin 1990. 7 vite e dy muaj i kalon në të ashtuquajturën “grupa pojaqanih nadzor”, (izolim).Me ndihmën e Amnestis Internacionale dhe Komitetit të Helsinkit lirohet nga burgu. Pas daljes nga burgu shkoi në Zvicër, ku jeton edhe aktualisht së bashku me familjen e tij ,gruan dhe tre fëmijët. Zvicra i njohu atij strehimin politik.Sylë Mujaj është njëherësh edhe piktor, edhe poet. Njeriu qe prej dhimbjesh, prej mungesës së lirisë, krijoj vargje qe më forcën e tyre realiste të tronditin, më fuqinë e tyre artistike, depërtojnë deri në qelizat e trupit.Piktura e tij e krijuar ashtu në heshtje e nën peshën e prangave, nga një copë laps i mprehtë e një letër cigareje –siç kujton autori,- një pikturë e lexueshme, por domethënëse: Ajo përcjell me forcë tragjizmin e një populli të tërë nën peshën e dhunës: Fatet individuale të njerëzve numra, siç i ka cilësuar autori, ku ai bën pjesë edhe vetë shprehin dhimbshëm shpresën e lirisë. I mbyllur në mes të betonit dhe hekurit, përmes hekurave, bashkë me dhimbjen dhe shpresën ai herë me poezi e herë me pikturë, nëpërmjet artit të tij realist pasqyron botën e tij të brendshme.Të gjitha këto ai i mblodhi në një libër, të cilin e paraqiti këto ditë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Portretet e njerëzve të tij të dashur, shokëve të burgut, të identifikuar me numra, nënës, babait e gruas që e priti për 10 vjet rresht, japin tragjedinë e tij individuale, si simbol i një kombi.Sylë Mujaj ka ekspozuar punimet e tij në 4 ekspozita personale të hapura dy në Zvicër, një në Itali dhe nga viti 1996-1997.
Ekspozita 2010
Foto te Ndryshme
dinsdag 4 mei 2010
Abonneren op:
Reacties posten (Atom)
Geen opmerkingen:
Een reactie posten
Pershendetje e me deshire e dicipline qytetare i pres komentet e Juaja